SASE

SINDIKATA E ARTISTEVE TE SKENES DHE EKRANIT



Mbledhja themeluese:
Miratimi i Statutit

Mbledhja per miratimin e Statutit u mbajt me date 14/07/2017 ne ambientet e Teatrit Kombetar. Te gjithe pjesemarresit votuan ne parim dhe nen per nen projekt-statutin e hartuar nga Kryesia e Perkohshme. U votua edhe per nenet me alternativa duke i dhene keshtu formen perfundimtare Statutit te SASE.

kthehu ne krye


Akti i themelimit
te SASE:

...faqja eshte ende ne ndertim. Akti i Themelimit do te ngarkohet se shpejti.

kthehu ne krye


Statuti i Sindikates se Artisteve
te Skenes dhe Ekranit

STATUTI
KREU I
OBJEKTI, EMËRTIMI I SINDIKATËS DHE SELIA


Neni 1

Objekti

Objekti i krijimit dhe i veprimtarisë Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (në vijim "Sindikata") është bashkimi vullnetar i punonjësve, që përfshihen sektorin e arteve skenike dhe ekranit (film dhe televizion) në të gjithë Shqipërinë, me qëllim
: Përfitimin e statusit të artistit dhe mbrojtjen e tij në vazhdimësi;
Përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ekonomike, profesionale e sociale të anëtarëve të saj, duke respektuar legjislacionin në fuqi, Konventat e ILO-s, si edhe normat e statutit.
Mbrojtjen ligjore në të gjitha mosmarrveshjet që lindin si pasojë e shkeljeve të kontratave të punës.
Edukimin profesional të anëtarëve dhe promovimin e arritjeve më të spikatura të tyre, përmes trajnimeve dhe festivaleve, etj.
Mbrojtjen e shëndetit dhe dinjitetit profesional në marrdhëniet e punës.
Mbrojtjen e të drejtave morale dhe materiale në zbatim të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejta të tjera të lidhura me të.
Garantimin e sigurimin social dhe shëndetësor, si edhe përfitimin e pensionit të veçantë.

Neni 2

Organizimi

Sindikata është e ndërtuar mbi bazë seksionesh sipas:
Ndarjes së ngushtë të profesioneve.
Territorit.
Secili seksion ka jo më pak se 20 anëtarë, prej të cilëve njëri zgjidhet kryetar, me mbi 50% të votave, në votim të fshehtë, një herë në vit.
Një anëtar ka të drejtë të bëjë pjesë edhe në seksionin territorial, edhe në një apo më shumë seksione profesionale, por mund të votojë për zgjedhjen e organeve drejtuese vetëm në njërin prej tyre, sipas zgjedhjes së tij.
Seksioni përfaqëson dhe mbron të drejtat e anëtarëve të sindikatës në marrëdhëniet e përditshme të punës me punëdhënësin e dhënë dhe denoncon në Kryesi çdo rast shkeljeje të kontratës kolektive të punës ose kontratave individuale.
Seksioni i propozon Kryesisë ndryshimet në kontratën kolektive të punës.

Neni 3

Emërtesa dhe Selia

Emërtimi i plotë i sindikatës është: Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit.
Shkurtimi i emërtesës së saj do të jetë: SASE.
Selia e sindikatës do të jetë: c/o Teatri Kombëtar, Rr. Sermedin Said Toptani, Tiranë.
Sindikata ka vulën dhe emblemën e saj, të cilat do të përfshijnë emërtesën e plotë dhe shkurtesën.

KREU II

QËLLIMET DHE VEPRIMTARIA E SINDIKATËS

Neni 4

Qëllimet

Sindikata ka si qëllim mbrojtjen e interesave dhe të drejtave ekonomike, profesionale dhe sociale, përmirësimin e perspektivave profesionale dhe ekonomike dhe sigurinë e punës së anëtarëve të saj.
 
Neni 5

Fusha e veprimit

Sindikata realizon qëllimin e saj nëpërmjet:
Anëtarësimit të krijuesve që e vlerësojnë sindikatën si përfaqësuese dhe mbrojtëse të ligjshme dhe që pranojnë metodat demokratike në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre;
Kontaktimit të vazhdueshëm me punëdhënësit, në të gjitha nivelet, me qëllim zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve reciproke, që lindin nga legjislacioni në fuqi, Kodi i Punës dhe kontratat kolektive;
Sigurimit të pavarësisë organizative, funksionale dhe administrative të sindikatës nga çdo ndikim i jashtëm, si edhe pavarësisë ndaj shtetit, qeverisë, partive politike dhe punëdhënësve apo organizatave të punëdhënësve;
Respektimit të dispozitave kushtetuese dhe legjislacionit shqiptar në tërësi dhe ushtrimit të veprimtarisë së saj në përputhje me Statutin e saj, si dhe respektimit të akteve ndërkombëtare dhe Konventave të Punës; Mbështetjes dhe bashkëveprimit me partnerë socialë;
Mbrojtjes ekonomike dhe ligjore për anëtarët që humbasin vendin e punës.
Lobimit dhe konsulencës në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave shtetërore për artin, kulturën dhe median.

Neni 6
Bashkëpunimi me federatat sindikale vendase dhe ndërkombëtare
Për interesat e saj dhe në përputhje me Statutin, Sindikata nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi dhe aderimi në federata e konfederata, vendase dhe ndërkombëtare, pas miratimit të akteve përkatëse nga Asambleja e Përgjithshme.
Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, Sindikata mund të kthehet në federatë sindikale, duke mundësuar shndrrimin e seksioneve në sindikata. Propozimi duhet të bëhet nga jo më pak se 1/3 e seksioneve dhe duhet të miratohet nga jo më pak se 2/3 e tyre.

KREU III
PRANIMI, DORËHEQJA DHE PËRJASHTIMI I ANËTARËVE

Neni 7

Pranimi

Në sindikatë ka të drejtë të anëtarësohet cilido që punon si: Aktor, Regjisor teatri, filmi & TV, Skenograf, Kostumograf, Dramaturg, Skenarist, Piktor grimi, Kompozitor, Koreograf, Balerin, Valltar, Këngëtar, Instrumentist, Dirigjent, Artist Cirku, Marionetist, Asistent-regjisor, Artist i filmit të animuar, Drejtor fotografie, Montazhier, Butaforist, Formulues muzike, Përkthyes dramash e dialogjesh, Staf teknik teatri, Staf teknik filmi.
Pranimi bëhet me vendim të Kryesisë, pas raportit me shkrim të Komisionit të Verifikimit të Mandateve, që vërteton kualifikimin profesional, pranimin e këtij statuti dhe kryerjes së pagesës së regjistrimit prej 1,000 (një mijë) Lekësh, nga kërkuesi.
Nuk mund të bëhen anëtarë të sindikatës drejtuesit e institucioneve të artit dhe kulturës, si edhe persona të tjerë që mbajnë poste publike si pasojë e emërimeve nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave ose kryetarët e bashkive.

Neni 8
Dorëheqja

Dorëheqja është e lirë dhe mund të shprehet me anë të një kërkese me shkrim drejtuar Kryesisë. Mospjesëmarrja në veprimtari sindikale dhe mospagimi i kuotave për tre muaj rresht, konsiderohet dorëheqje e heshtur.
Me dorëheqjen bëhet çregjistrimi nga lista e anëtarëve të sindikatës.

Neni 9

Përjashtimi

Përjashtimi nga Sindikata bëhet në rastet kur anëtari:
Vepron në kundërshtim me vendimet e Kryesisë dhe Asamblesë së Përgjithshme.
Dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale.
Nënshkruan një kontratë pune ose porosie, ose punon pa kontratë, kundrejt pagesës ose falas, pavarësisht kohëzgjatjes, me një punëdhënës me të cilin Sindikata ka nënshkruar kontratë kolektive ose është në listën e punëdhënësve të ndaluar të Sindikatës, pa njoftuar Sindikatën.
Kryen shkelje të rënda të etikës, që cënojnë imazhin publik të sindikatës ose frymën e mirëkuptimit reciprok mes anëtarëve.
Emërohet në një post të parashikuar në nenin 7, paragrafi 3 dhe nuk jep dorëheqjen brenda 15 ditëve. Përjashtimi bëhet vetëm nga Asambleja e Përgjithshme, me më shumë se 2/3 e votave, pas një votimi të fshehtë.
Propozimi për përjashtim mund të bëhet nga Kryesia, nga jo pak se 1/5 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve, ose nga jo më pak se 2/3 e anëtarëve të seksionit ku bën pjesë anëtari për të cilin kërkohet përjashtimi.

KREU IV

TË DREJTAT DHE DETYRAT E ANËTARËVE

Neni 10
Të drejtat
Anëtari i sindikatës ka të drejtë:
Të shfaqë lirisht mendimet si dhe të kritikojë veprimtarinë e anëtarëve e tjerë dhe organeve të zgjedhura, në mbledhjet e sindikatës;
Të propozojë e të bashkëpunojë në hartimin e vendimeve të sindikatës;
Të mbrojë interesat e tij ekonomike, sociale, profesionale e morale duke përdorur gjitha mjetet ligjore të shtetit të së drejtës;
Të kundërshtojë praktika e vendime të Sindikatës që bien në kundërshtim me Statutin, parimet kushtetuese dhe ligjin;
Të zgjidhet dhe të zgjedhë organet drejtuese të sindikatës.

Neni 11

Detyrat

Anëtari i Sindikatës ka detyrë:
Të respektojë dhe të zbatojë detyrimet e Statutit dhe vendimet e organeve drejtuese të Sindikatës; Të paguajë në kohën dhe në masën e caktuar kuotizacionin mujor.

KREU V

PËRBËRJA, FUNKSIONIMI DHE KOHËZGJATJA E MANDATEVE
TË ORGANEVE DREJTUESE

NENI 12

Organet drejtuese

Organet drejtuese të Sindikatës janë:
a. Asambleja e Përgjithshme
b. Kryesia
c. Kryetari
d. Komisioni i Verifikimit të Mandateve

Neni 13

Asambleja e Përgjithshme

Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë vendimor i Sindikatës.
Asambleja mblidhet në sesion të zakonshëm një herë në vit, me vendim të Kryesisë. Sesionet e jashtëzakonshme thirren me kërkesë me shkrim nga jo më pak se: 2/3 e anëtarëve të Kryesisë, 1/2 e seksioneve ose 1/3 e anëtarësisë.
ËÇdo anëtar i Sindikatës ka të drejtë të marrë pjesë dhe të votojë. Anëtarët që nuk kanë paguar kuotizacionet në tre muajt e fundit nuk kanë të drejtë vote.
Asambleja e Përgjithshme i merr vendimet me shumicë të thjeshtë votash (mbi 50%), me përjashtim të ndryshimeve të statutit, të cilat bëhen me 2/3 e votave.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme zhvillohen sipas procedurës së miratuar nga Kryesia dhe të bërë publike jo më vonë se 30 ditë nga data e fillimit të saj.

Neni 14

Funksionet e Asamblesë së Përgjithshme

Të miratojë raportin e Kryesisë, të paraqitur nga Kryetari, për periudhën nga mbledhja e kaluar, deri në thirrjen e mbledhjes së radhës, duke përfshirë edhe raportin financiar, si edhe raportin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve për ndryshimet në anëtarësi.
Të përcaktojë strategjinë e përgjithshme të Sindikatës, objektivat konkrete dhe projekt-buxhetin për periudhën e ardhshme 1 vjeçare.
Të zgjedhë Kryesinë dhe Kryetarin.
Të zgjedhë Komisionin e Verifikimit të Mandateve.
Të miratojë ndryshimet në Statut.
Të përcaktojë dhe të ndryshojë përmbajtjen e vulës dhe emblemës së sindikatës.
Të vendosë për shpërndarjen, likujdimin e aseteve dhe çregjistrimin e Sindikatës.
Të përcaktojë masën e pagesës së regjistrimit dhe kuotizacionin mujor.

Neni 15

Kryesia

Kryesia është organi kolegjial vendimmarrës për periudhën midis dy Asambleve të Përgjithshme dhe për çdo çështje që nuk është kompetencë taksative e Asamblesë së Përgjithshme.
  Kryesia mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj në mbledhje të zakonshme. Mbledhja e jashtëzakonshme mund të kërkohet nga Kryetari ose 1/3 e anëtarëve të Kryesisë.
Kryesia përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Asambleja e Përgjithshme, me votim të fshehtë, mbi bazën e dy listave shumë emërore, një për kandidatet femra dhe një për kandidatët meshkuj. Kandidati që ka fituar numrin më të lartë të votave shpallet Kryetar. Katër kandidatët e tjerë meshkuj dhe katër kandidatat e tjera femra, që kanë fituar më shumë vota, shpallen anëtarë të Kryesisë.
Kandidaturat shpallen nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve jo më vonë se 15 ditë nga dita e fillimit të Asamblesë së Përgjithshme.
Mandati i anëtarit të Kryesisë është 1 vit. Mandati mund të pezullohet deri në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, të zakonshme ose të jashtëzakonshme, nëse mocioni nënshkruhet nga:
Jo më pak se 1/3 e anëtarësisë;
Jo më pak se 1/2 e seksioneve;
Jo më pak se 2/3 e anëtarëve të Kryesisë
Në këtë rast, Asambleja e Përgjithshme thirret në sesion të jashtëzakonshëm dhe voton mocionin e mosbesimit dhe, nëse mocioni miratohet, zgjedh anëtarin zëvendësues.
Anëtarët e Kryesisë nuk mund të jenë anëtarë partish politike ose të përfshihen në fushata elektorale (sipas termave të Kodit Zgjedhor) ose të kenë lidhje gjaku të nivelit të parë ose të jenë bashkëshortë ose partnerë të (sipas termave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave) me punëdhënës subjekt të kontratave kolektive ku Sindikata është palë. Verifikimi i njërit prej këtyre ndalesave pas marrjes së mandatit, nga ana e Komisionit të Verifikimit të Mandateve, përbën shkak të mjaftueshëm për shfuqizimin e mandatit.
Anëtarë ex-ufficio (pa të drejtë vote) të Kryesisë janë Financieri dhe Juristi, të cilët kontraktohen në përputhje me nevojat dhe mundësitë e Sindikatës, me një kontratë të miratuar nga Kryesia.

Neni 16

Kryetari

Kryetari është anëtar primus inter pares i Kryesisë. Ai përfaqëson sindikatën në çdo rast vetëm bazuar në mandatin me shkrim të dhënë nga Kryesia.
Në rast barazimi votash në votimet e Kryesisë, vota e Kryetarit vlen dyfish.
Ndalesat për marrjen ose ndërprerjen e mandatit të Kryetarit janë të njëjta me ato që zbatohen për Anëtarët e Kryesisë.

Neni 17
Komisioni i Verfifikimit të Mandateve
Komisioni i Verifikimit të Mandateve përbëhet nga 5 anëtarë të Sindikatës, të miratuar me votim të fshehtë nga Asambleja e Përgjithshme, të cilët zgjedhin Kryetarin në mbledhjen e tyre të parë. Zgjedhja e Komisionit është akti i parë që miraton Asambleja e Përgjithshme.
Komisioni ka për detyrë të drejtojë procesin e anëtarësimeve, miratimit të kandidaturave për organet drejtuese të të gjitha niveleve dhe të organizojë zgjedhjet përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme e cila i ka zgjedhur, deri në fillimin e mbledhjes së ardhshme.
Gjatë zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme, Komisioni është autoriteti më i lartë i Sindikatës. Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme nëse në to marrin pjesë të paktën 4 anëtarë dhe votojnë pro të paktën 3 anëtarë.

KREU VI

ADMINISTRIMI FINANCIAR

Neni 18

Burimet financiare

Burimet financiare të Sindikatës përbëhen nga:
Pagesa e regjistrimit ose riregjistrimit të anëtarëve.
Kuotizacionet mujore të anëtarëve.
Dhurimet e ligjshme nga individë dhe/ose ente publike e private, vendase e të huaja.
Të ardhurat e krijuara nga veprimtari të kryera në përputhje me këtë Statut dhe kuadrin ligjor në fuqi.

Neni 19

Kuotizacionet

Pagesa e regjistrimit dhe kuotizacionet miratohen me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, pas propozimit të Kryesisë.
Pagesa e regjistrimit ose riregjistrimit të anëtarit është 1,000 (një mijë) lekë.
Kuotizacioni mujor është 200 (dyqind lekë) plus 0,5% e të ardhurave nga çdo kontratë individuale që bazohet mbi kontratën kolektive të nënshkruar nga Sindikata.

Neni 20


Përdorimi i të ardhurave dhe detyrimet tatimore
Sindikata nuk është organizatë me qëllim fitimi dhe nuk shpërndan divident. Të gjitha të ardhurat e akumuluara në përfundim të vitit financiar kalojnë si e ardhur në vitin pasardhës.
Përdorimi i të ardhurave bëhet sipas Buxhetit vjetor të propozuar nga Kryesia dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme.
Shpenzimet operative të Sindikatës nuk mund të jenë më shumë se 20% e totalit të shpenzimeve.
Sindikata operon përmes llogarive bankare në lekë dhe valutë, në njërën nga bankat e vendit.

Neni 21

Auditimi

Kryesia zgjedh, në mbledhjen e fundit të saj, një auditues, i cili kryen procesin e auditimit financiar të Sindikatës dhe paraqet një raport me shkrim. Raporti i audituesit bëhet publik jo më vonë se dy javë nga mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme.

KREU VII

TRANSPARENCA DHE MARRDHËNIA ME PUBLIKUN

Neni 22

Asnjë dokument zyrtar i Sindikatës nuk mund të përbëjë sekret.
ËÇdo anëtar ka të drejtë të marrë kopje të çdo dokumenti, pa pasur nevojë të paguajë për këtë shërbim.
Qytetarët shqiptarë që nuk janë anëtarë të sindikatës gëzojnë të drejtën e marrjes së kopjes së dokumentit zyrtar kundrejt një tarife të drejtë fotokopjimi ose shtypi, sipas rastit.
Të gjitha kopjet e dokumenteve të kërkuara nga anëtarët, detyrimisht publikohen edhe në faqen web të Sindikatës.
Sindikata mirëmban një faqe web, përmes së cilës publikon dhe promovon veprimtarinë e saj. Statuti, lista e anëtarëve, vendimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe Kryesisë, si edhe të gjitha kontratat kolektive dhe akt-marrveshjet me të tretët, janë kurdoherë të publikuara në faqen web të Sindikatës.
Mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme dhe Kryesisë transmetohen live në faqen web të Sindikatës, si edhe përmes faqes së Sindikatës në Facebook. Kopjet e regjistrimeve video dhe audio ruhen në arkivin e Sindikatës.
Pas çdo negociate me punëdhënës ose organizata punëdhënësish, në lidhje me termat e kontratave kolektive, Kryesia është e detyruar të publikojë komunikata përmes të të cilave të sqarojë ecurinë e tyre.
Për probleme të veçanta, në pamundësi të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, ose për probleme me impakt më të kufizuar, Kryesia është e detyruar të organizojë konsultime publike me anëtarësinë ose seksionet e interesuara, në terren ose përmes internetit. Pjesë e konsultimeve duhet të jenë detyrimisht anketimet dhe/ose votimet e pjesshme të seksioneve të interesuara.
Kryesia administron dhe bën publike kurdoherë: selinë, kutinë postare, adresat email, numrat celularë, numrin e telefonit fiks dhe llogaritë Facebook, Twitter, Skype, Viber e Whatsapp të Kryesisë dhe secilit anëtar individual.

KREU VIII

DISPOZITA TË VEËÇANTA

Neni 23

Shpërndarja e Sindikatës

Sindikata mund të shpërndahet kur gjykohet se nuk i shërben më qëllimit dhe parimeve të krijimit ose nëse numri i përgjithshëm i anëtarëve ulet nën 20 anëtarë.
Vendimi për shpërndarjen e sindikatës merret nga Asambleja e Përgjithshme, si organi më i lartë i saj ose, në pamundësi të mbledhjes së saj, nga Kryesia, duke u nënshkruar nga shumica e anëtarëve të saj.
Organi që vendos shpërndarjen, kërkon çregjistrimin në gjykatë dhe në organet tatimore.
Organi që vendos shpërndarjen emëron një ekip likujduesish, të cilët nxjerrin bilancin përfundimtar, vërtetojnë shlyerjen e detyrimeve dhe llogarisin mënyrën e shpërndarjes së aseteve në përputhje me kontributin e secilit anëtar.
Shpërndarja e aseteve dhe shkatërrimi i vulës bëhet nga Kryesia.

Neni 24

Depozitimi i Statutit

Statuti dhe vendimet e Asamblesë së Përgjithshme depozitohen në Ministrinë e Punës dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Neni 25

Vlefshmëria e Statutit
Ky Statut u miratua dhe u nënshkrua unanimisht nga Anëtarët Themelues të Sindikatës dhe është i detyrueshëm për të gjithë Anëtarët dhe Komisionin Nismëtar.
Këtij Statuti i bashkëngjitet Akti i Themelimit, i miratuar dhe nënshkruar nga Anëtarët Themelues të Sindikatës.

Neni 26

Dispozitë kalimtare
Komisioni nismëtar i zgjedhur nga Asambleja Themeluese kryen funksionet e Kryesisë, Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe Audituesit, deri në mbledhjen e Asamblesë së Parë të Përgjithshme, por jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të gjykatës për regjistrimin e Sindikatës.

Shënim: Ky Statut u miratua nga Asambleja Themeluese, në Tiranë, më 14 korrik 2017.

kthehu ne krye


Anetaret e kryesise
te SASE:

...faqja eshte ende ne ndertim. Lista e anetareve te kryesise do te ngarkohet se shpejti.

kthehu ne krye
www.000webhost.com